Hene, 28 Dhjetor 2020 00:00

Menuja pas festave

Çfarë të hani për të rivendosur ekuilibrin në trupin tuaj pas një përzierje të ëmbëlsirave, brioshëve, sallatës ruse, pijeve të gazuara dhe alkoolike?
 

KAFJALLI
Tërshëra ndihmon në neutralizimin e aciditetit të shkaktuar nga alkooli dhe larmia e ushqimeve. Bëni pure me tërshërë me banane për të kompensuar kaliumin e humbur; lëngje për të hidratuar trupin dhe çaj jeshil për të shtuar energji.

DREKA
Trupi ka nevojë për elektrolite për të kompensuar lëngjet e humbura, veçanërisht nëse e keni tepruar me alkool, kafe dhe diuretikë të tjerë. Supa (qoftë ajo me perime apo mish) do t'ju sigurojë natrium dhe do t'ju furnizojë me lëng të mjaftueshëm.

MESVAKTI
Vezë e zier - sepse përmban cisteinë, një acid që do të shpërbëjë sheqerin alkoolik dhe etanolin. Kombinojini ato me biskota të thatë, pasi karbohidratet e tyre do të sjellin nivelet e sheqerit në gjak në normale. 

 DARKA

 Yndyrat anti-inflamatore në salmon mund të ngadalësojnë prodhimin e prostaglandinës, një hormon që përkeqëson dhimbjen e kokës nga pirja dhe vështirësitë nga ushqimi i yndyrshëm.         Pini ujë me xhenxhefili nëse ndiheni të fryrë dhe  ju vjen neveri kur mendoni për ushqyerje. 

 
 
Ushqyerja me gji është metoda më e dobishme për rritjen dhe zhvillimin normal të fëmijës. Por pothuajse 2 nga 3 fëmijë nuk gëzojnë ushqyerjen ekskluzive me gji gjatë 6 muajve të rekomanduar- ky rangim nuk është përmirësuar për dy dekada, sipas OBSH-së. Vendimi nëse foshnja do të ushqehet me gji ose do të fillojë jetën me qumësht të adaptuar është zgjedhje personale e nënës - diçka që nuk duhet të komentohet, por pranohet dhe respektohet në mënyrë paqësore dhe kulturore. Por me rritjen e numrit të grave që refuzojnë të ushqejnë me gji, ne vendosëm t'ia kushtojmë këtë artikull dobive të provuara shkencërisht të ushqyerjes me gji dhe të demistifikojmë ato besime modern se ushqyerja me gji është e vështirë, e komplikuar dhe e zgjedhin gratë më pakt të arsimuar. 
 

Vetëm 41% e foshnjave nën 6 muaj janë me ushqyerje ekskluzive me gji.
 

DOBITË NGA USHQYERJA ME GJI PËR FOSHNJËN
 
1.    Qumështi i gjirit siguron pjesën ideale të lëndëve ushqyese
Qumështi i gjirit përmban gjithçka që fëmija ka nevojë në 6 muajt e parë në sasi të përshtatshme. Përbërja e tij ndryshon në përputhje me nevojat e foshnjës, veçanërisht në muajin e parë.
Në ditët e para pas lindjes, gjinjtë prodhojnë një lëng të trashë, të verdhë, të quajtur kolostrum. Kolostrumi është i pasur me proteina dhe një sërë lëndësh ushqyese - një ushqim çudibërës që nuk mund të zëvendësohet me asnjë formulë.
Kolostrum është një qumësht ideal fillestar për fëmijën, pasi ndihmon në zhvillimin e sistemit të papjekur të tretjes të të porsalindurit. Pas disa ditësh, gjinjtë fillojnë të prodhojnë sasi më të mëdha qumështi - pas rritjes së barkut të foshnjës.
E vetmja gjë që mungon në këtë pije çidubërëse është vitamina D dhe prandaj rekomandohet një shtesë në formën e pikave.

2. Qumështi i gjirit përmban antitrupa të rëndësishëm
Qumështi i gjirit është i pasur me antitrupa që ndihmojnë foshnjën të luftojë viruset dhe bakteret - thelbësore në muajt e hershëm dhe të brishtë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për kolostrumin, i cili përmban doza të larta të imunoglobulinës A dhe një sërë antitrupash të tjerë. 
Sapo nëna bie në kontakt me një virus ose bakter, trupi i saj krijon antitrupa që hyjnë në qumësht dhe arrijnë tek fëmija përmes qumështit. Ky është parimi me të cilin krijohet imuniteti fillestar i të vogëlit. 
Imunoglobulina A mbron foshnjën nga sëmundja duke krijuar një shtresë mbrojtëse në hundën, fytin dhe sistemin e tretjes.

3. Ushqyerja me gji zvogëlon rrezikun nga sëmundjet
Bëhet fjalë për një listë të plotë të sëmundjeve të tilla si:
·       Infeksionet e veshit të mesëm, sinuseve dhe fytit edhe pasi fëmija të rritet. 
·       Infeksionet e traktit respirator dhe sëmundjet akute gastrointestinale.
·       Ftohjet, sidomos gjatë ushqyerjes ekskluzive me gji për 6 muaj.
·       Sindroma e vdekjes së papritur e foshnjave.
·       Sëmundjet alergjike si astma, dermatiti atopik dhe ekzema.
·       Sëmundjet e zorrëve të tilla si sëmundja e Kronit dhe koliti ulceroz. 
·       Diabeti 1 dhe 2.
·       Leukemia pediatrike.

4. Qumështi i gjirit siguron një peshë të shëndetshme trupore
Ushqyerja me gji ul rrezikun e mbipeshës në fëmijeri. Një studim zbuloi se ushqyerja me gji për jo më shumë se 4 muaj ul mundësitë që një fëmijë të fitojë shumë peshë. Studiuesit sugjerojnë që kjo është për shkak të baktereve të ndryshme në zorrë - foshnjat që ushqehen me gji kanë baktere më të dobishme. Ata gjithashtu kanë më shumë leptinë, ndryshe nga foshnjat që ushqehen me formulë. Leptina është një hormon kryesor për rregullimin e urisë dhe rezervave të yndyrës.
Foshnjat me gji vetë e kontrollojnë sa hanë - thithin derisa të plotësojnë urinë. Në këtë mënyrë, ata krijojnë zakone të shëndetshme që në moshë të vogël.

5. Ushqyerja me gji i bën fëmijët më të zgjuar
Disa studime sugjerojnë se ekziston një ndryshim në zhvillimin e trurit midis foshnjave që ushqehen me gji dhe atyre që ushqehen me qumësht të adaptuar. Dallimi është ndoshta për shkak të kontaktit fizik, kontaktit me sy, vetë intimitetit të aktit të ushqyerjes me gji dhe, natyrisht, materieve ushqyese. 
Studimet tregojnë se foshnjat që ushqehen me gji janë më inteligjente dhe kanë më pak të ngjarë të kenë probleme të sjelljes ose vështirësi në të mësuar kur të rriten. Sidoqoftë, efektet më të dukshme vërehen tek foshnjat e parakohshme, të cilat kanë një rrezik më të lartë të problemeve të zhvillimit. 
Studimet tregojnë qartë se ushqyerja me gji ka efekte të konsiderueshme dhe afatgjata në zhvillimin e trurit të foshnjave. 

Mbi 820,000 fëmijë mund të shpëtojnë çdo vit nëse të gjithë fëmijët e moshës 0-23 muajsh ushqehen me gji në mënyrë optimale.



Globalisht, 3 në 5 foshnje nuk ushqehen me gji në orët e para të jetës. 
 

DOBITË E TË USHQYERIT ME GJI PËR NËNËN 
 

6. Ushqyerja me gji përshpejton humbjen e peshës
Ndërsa disa gra shtojnë peshë kur ushqejnë me gji, ka nga ato që humbin peshë pa ndonjë përpjekje. Ushqyerja me gji, natyrisht, djeg kalori dhe pas 3 muajsh laktacioni do të vëreni djegie të shtuar të dhjamit në krahasim me nënat që nuk ushqejnë me gji. Por për të qenë realist, ndryshimi nuk është shumë i madh.

7. Ushqyerja me gji stimulon kontraktimet e mitrës
Gjatë shtatzënisë, mitra rritet - prej madhësisë së një dardhe arrin madhësinë e një shalqiri - duke mbushur pothuajse të gjithë hapësirën e barkut. 
Pas lindjes, mitra kalon nëpër një proces të quajtur involucion ose kthehet në madhësinë e saj origjinale. Oksitocina, hormoni që rritet gjatë shtatzënisë, udhëheq të gjithë këtë proces. Trupi sekreton doza të mëdha të oksitocinës gjatë lindjes në mënyrë që të lehtësojë vetë aktin, por në të njëjtën kohë për të zvogëluar gjakderdhjen. Gjithashtu ju ndihmon të lidheni me të voglin tuaj. 
Oksitocina rritet gjithashtu gjatë ushqyerjes me gji, këto doza të rritura janë gjithashtu në shërbim të mitrës, nën veprimin e tyre ajo tkurret, duke rifituar gradualisht madhësinë e saj. Studimet tregojnë se nënat që ushqejnë me gji në përgjithësi kanë më pak  gjakderdhje pas lindjes dhe përshpejtojnë involucionin e mitrës.

8. Nënat që ushqejnë me gji kanë një rrezik më të ulët nga depresioni
Depresioni pas lindjes është një lloj depresioni që zhvillohet menjëherë pas lindjes. Gratë që ushqejnë me gji kanë më pak të ngjarë të zhvillojnë depresion pas lindjes sesa nënat që nuk ushqejnë me gji, sipas një studimi të vitit 2012. 
Nga ana tjetër, ata që vuajnë nga depresioni, menjëherë pas lindjes, kanë vështirësi në gjidhënie ose ushqejnë me gji për një periudhë të shkurtër. Prandaj, nëse vëreni ndonjë simptomë, vizitoni mjekun sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të mos ju mbeteni pa qumësht ndërkohë.

9. Ushqyerja me gji zvogëlon rrezikun nga sëmundjet
Ushqyerja me gji duket se ofron mbrojtje afatgjatë kundër kancerit dhe një mori sëmundjesh të tjera. Koha e përgjithshme e dhënies së gjirit shoqërohet me një rrezik të zvogëluar të kancerit të gjirit dhe vezoreve. Gratë që ushqejnë me gji kanë një rrezik të zvogëluar të zhvillimit të:
·       Presionit të lartë të gjakut.
·       Artritit. 
·       Rritjes së yndyrave në gjak.
·       Sëmundjes së zemrës.
·       Diabetit të tipit 2.
 
10. Ushqyerja me gji vonon ciklin menstrual
Ushqyerja me gji ndalon ovulimin dhe menstruacionet. Është një mënyrë që natyra kujdeset për trupin e femrës, duke i lënë hapësirë që të rikuperohet, plus që të sigurojë një pushim midis dy shtatzanive. Ky ndryshim është vërtet i mirëpritur për nënat e reja që papritmas kanë shumë përgjegjësi dhe shqetësime. Por mbani në mend - ushqyerja me gji nuk ju mbron nga shtatzënia!

11. Ushqyerja me gji do t’ju kursejë kohë dhe para
Ushqyerja me gji nuk do t'ju kushtojë asnjë qindarkë, përveç se do t'ju duhet të merrni një pompë qumështi dhe të ushqeheni shëndetshëm. Nëse vendosni të ushqeni me gji, nuk do të keni nevojë:
·       të blini formulë.
·       të vëzhgoni sa qumësht i jepni fëmijës tuaj.
·       të lani dhe sterilizoni shishet.
·       të përgatitni qumësht në mes të natës.
·       të mendoni për strategji për të ngrohur qumështin tuaj kur jeni jashtë.
Qumështi i prodhuar nga gjiri është gati për t’u konsumuar në çdo kohë dhe kudo!
Kokoshka dhe e gjithë familja e mbledhur tog para TV është gjithmonë një ide e mirë, sidomos në dimër. Kjo është arsyeja pse ne rekomandojmë këtë film aventureske familjare për legjendarin  dr. Xhon Dulitle. Sapo të bëhet i ve, mjeku i famshëm do të tërhiqet nga bota dhe do të komunikojë vetëm me kafshët e tij ekzotike. Por pasi mbretëresha e re Victoria sëmuret, ai dhe miqtë e tij me gëzof shkuan në ishullin mitik në kërkim të një kure. Në vitin 2020, privilegji i interpretimit të karakterit të mjekut të çuditshëm i përkiste Robert Douni Xhunior simpatik. 
Seriali përbëhet nga 7 episode emocionuese që do t’i shikoni për një kohë shumë të shkurtër. Drama zhvillohet në Shtetet e Bashkuara në vitet '60 dhe ndjek jetën e Beth Harmon - në moshën 9 vjeçare ajo mbetet jetime dhe gjen ngushëllim duke luajtur shah në jetimore. Për një kohë të shkurtër ajo bëhet e varur nga loja, bëhet një lojtare e përkushtuar në mënyrë që të bëhet më e mira në botë. Por në arritjen e qëllimit të saj e pengonin problemet e saj emocionale dhe një sërë varësish të tjera të tilla si droga dhe alkooli. A do të arrijë heroina introverte dhe pak e çuditshme të mundë veten dhe rivalin e saj? 
Status quo ose dukuri psikologjike që i bën njerëzit të ndihen rehat kur janë në terren të njohur - edhe kur situata është e pakëndshme dhe e padëshirueshme. Për këto arsye, njerëzit mbeten të bllokuar në martesa të palumtura ose në vende të punës që nuk i përmbushin. A e keni gjetur veten? A është e mundur të dilni nga makina që punon pa ngarkesë? Këtu janë disa arsye "PRO" dhe "KUNDËR" që do t'ju ndihmojnë të mbani timonin më fort. 
 
PËRQËNDRIM POZITIV NDAJ ËNDËRRAVE
Kultivoni entuziazëm, imagjinoni skenarë madje edhe të pamundshëm se si do të dukej jeta juaj nëse do të arrinit qëllimin e imagjinuar për të cilin gjoja nuk keni guxim. Por, mos harroni të argëtoheni, sepse vetëm atëherë do të arrini qëllimin më shpejt sesa e prisnit.

PËRSIPËRMARRJEN E AKTIVITETEVE KONKRETE
Nëse ëndërroni një punë të re, ndani tridhjetë minuta për të kompletuar CV-në tuaj. Dëshironi të bëheni më të mirë në yoga? Zotëroni pozicionin  "përshëndetje e diellit" (një lloj ushtrimi i yoga). Me këto hapa të vegjël ju do të zvogëloni presionin që është kurthuar në zonën tuaj  të rehatisë dhe do të ndjeni një valë të vogël pozitiviteti. 
 
KUNDËRNDARJES SË ËNDRRAVE ME PUBLIKUN
Për të qenë realist, ka gjithnjë e më pak njerëz që do t'ju inkurajojnë në misionin për të arritur atë që keni vendosur të bëni. Shumica e tyre do t'ju bombardojnë me të gjitha rezultatet e mundshme të këqija dhe kështu do t'ju shtyjnë në humnerën nga e cila sapo keni guxuar të dilni. Nëse keni nevojë për mbështetje, mendoni mirë se cili person në jetën tuaj di si ta tregojë atë, dhe gjatë rrugës di të dëgjojë dhe kritikojë sinqerisht. Të tjerëve thjesht ofrojuani vetëm suksesin, asgjë më shumë. Në rast se dështoni (megjithëse nuk ka gjasa), do të jetë më lehtë për ju ta kapërceni atë fakt në heshtje sesa duke iu përgjigjur pyetjeve nga të tjerët. 

KUNDËRIDESË QË TË PREOKUPOHEMI ME REZULTATIN
Shpesh pyesim veten: “Ku dua të jem?” Në vend që të pyesim veten: “Si dua të ndihem?” Ndryshoni përqendrimin për të hequr qafe atë pritje të frikshme se si do të zhvillohen gjërat. Ky qëndrim do t'ju shtyjë përmes të gjithë sfidave dhe do t'ju bëjë të ndieni gëzim dhe mirënjohje edhe kur ajo që dëshironi nuk ka ardhur ende. 
 
Locione me shkumë për larje të fytyrës
Sulfatet (përbërësit që krijojnë shkumë) rrezikojnë pengesën natyrore të lëkurës, duke mundësuar që papastërtitë dhe bakteret të depërtojnë lehtësisht dhe të krijojnë radikale të lira. Prandaj, lani fytyrën tuaj me formula kremoze dhe shpëlajeni atë me ujë të ftohtë (uji i nxehtë përkeqëson gjendjen e lëkurës).

Vegla për pastrim të fytyrës
Nëse nuk i përdorni si duhet ose i përdorni shumë shpesh, furçat dhe rulet për pastrim të fytyrës dhe eksfoliacion të lëkurës do të krijojnë mikro-shenja në lëkurë si pikat e lotit. Me kohë, lëkura do të hollohet,
do të bëhet e ndjeshme dhe e skuqur. Sigurohuni që të ndiqni udhëzimet për përdorimin e veglave, mos shtypni shumë dhe shpëlajeni me shumë ujë.

Produkte të parfumuar
Aromat sintetike e bëjnë lëkurën të ndjeshme, si parabenet dhe ftalatet, të cilët janë përgjegjëse për inflamacione. Kërkoni "fragrance" në etiketa, por mos u ngatërroni nga "unscented" që do të thotë formulë pa erë, por jo pa substanca sintetike.

DESKUAMACIONI
Për deskuamacionin që nuk do të sjellë dëmtime të lëkurës, durimi dhe koha janë të nevojshme. Për të zvogëluar rrezikun nga lëndimi, përdorni një formulë të bazuar në acid në vend të deskuamacioneve (pilingjeve) që heqin qelizat e vdekura nga sipërfaqja e lëkurës me ndihmën e kokrrave të trasha.
 
 
 
 
Vitamina A
I njohur si retinol, ai e zbut strukturën e lëkurës duke përshpejtuar rinovimin e qelizave dhe duke stimuluar prodhimin e kolagjenit.

Vitamina B
Niacinamidi ose B3 barazon ngjyrën e fytyrës dhe minimizon formimin e pikave të zeza duke rregulluar prodhimin e dyfishtë, atë të sebumit dhe atë të pigmenteve. 

Vitamina C
Pastrues i njollave të errëta, falë vetive antioksiduese. Pezullon aktivitetin e melaninës (ndriçon, por gjithashtu edhe parandalon formimin e saj) dhe parandalon errësimin shtesë të njollave ekzistuese.

Vitamina D
Vendoseni para se të dilni, dhe ky antioksidant i njohur do të mbrojë lëkurën tuaj nga agresorët e jashtëm siç janë rrezet UV dhe ndotja.

Vitamina E
Miku më i mirë i lëkurës së thatë dhe të dehidratuar. Ushqen dhe thjeshtë  shuan etjen e lëkurës, duke e bërë atë të butë dhe me shkëlqim. 
 
 
Koha
Kyçe për një maskë efektive për fytyrën
Maska e argjilit është zgjedhja më e zakonshme e grave në rastet kur ato kanë nevojë për shkëlqim të menjëhershëm dhe strukturë të lëmuar. Zgjedhja është padyshim e mirë, por efekti është i rrezikuar dhe shpesh jo i plotë për shkak të kornizës kohore të pasaktë të caktuar për të funksionuar formula. Me fjalë të tjera, nëse maska shtrëngon lëkurën dhe fillon të plas, atëherë e keni lënë atë për një kohë të gjatë. Është më mirë të lani maskën prej balte para se të thahet plotësisht, sepse në këtë mënyrë do të parandaloni tharjen e lëkurës dhe nuk do të dobësoni funksionin e saj mbrojtës. Një zgjidhje ideale do të ishte një maskë argjile me glicerinë (një krem hidratues i njohur) në përbërje. Kjo rregull vlen edhe për maskat e tjera të fytyrës, pavarësisht nga përbërja e tyre. Lërini ato të ndikojnë në lëkurë për aq kohë sa tregohet në paketim. 
 
 
Lëkurë e ndezur Stimulues - ushqim jo i shëndetshëm
Ushqimi i përpunuar ngadalëson tretjen, dhe rezultati i kësaj ngecje është shumëzimi i baktereve jo të shëndetshme në stomak. Kur ndodhë kjo, ekziston gjithmonë mundësia që bakteret e këqija mund të hyjnë në qarkullimin e gjakut dhe të shkaktojnë inflamacion që do të jetë i dukshëm në lëkurë. Zgjidhja? Konsumoni probiotikë (baktere të mira), ato veprojnë si antibiotikë natyralë që mbrojnë stomakun dhe në mënyrë indirekte kontrollojnë proceset inflamatore në trup.
 
Përbërës i ri hit për lëkurën
Centella aziatike ose fillimisht Centella asiatica - një barishte që ka veti të forta antioksiduese, ka fuqinë të stimulojë rigjenerimin e lëkurës dhe kështu të forcojë funksionin e saj mbrojtës - thelbësore në dimër kur lëkura është e ekspozuar ndaj grimcave të ndotjes. Plus, zvogëlon skuqjen, inflamacionin, dhe madje vepron në procesin natyror të plakjes. 
Është një gjë të përpiqesh të gëzohesh me mossuksesin e dikujt, por është krejt tjetër gjë të kënaqesh me dështimin e dikujt - një emocion që askush nuk ka guximin ta pranojë.
 
Vëllai juaj është në borxhe, dhe ju jeni të lumtur për këtë? Fjala "lumturi" mund të tingëllojë e fortë, por duhet të ketë qenë ndjenjë e bukur të dëgjosh që njeriu që tallej me ju për shkak të të ardhurave të pakëta erdhi tek ju për një hua. E, ajo shoqja, burri i së cilës e befasonte pa ndonjë arsye? Epo, këtë herë ai e befasoi atë me pabesi, dhe juve ju kënaq zemra e dashur për shkak të këtij fakti. Përse? Sepse në çdo rast ajo e vlerësonte pa të drejtë burrin tuaj si më të pakujdesshmin. Duke ikur me çantën në dorë, hajduti u rrëzua  dhe e theu krahun. Sikur të ishte e pashmangshme, ju bërtitët: "Epo, e lypi e gjeti!"
Të dashur lexues, këto mund të jenë histori të trilluara, por ju do të pranoni që të gjithë jemi gjetur ndonjëherë në një pozitë kur kënaqemi me hallet e të tjerëve. Po, është e vështirë të pranosh atë fakt dhe kjo është arsyeja pse ka shumë pak kërkime mbi këtë fenomen, i cili, përndryshe, është plotësisht njerëzor dhe i natyrshëm.
Gjermanët e quajnë këtë fenomen schadenfreude ("schaden" që do të thotë "të dëmtosh" dhe "freude" që do të thotë "gëzim"), në mënyrë që të përshkruajnë kënaqësinë e shkaktuar nga mjerimi i dikujt tjetër. "Kjo ndjenjë është sigurisht kolektive, ndodh në çdo kulturë dhe nga këtu burojnë të gjitha fjalët dhe frazat e ndryshme që njerëzit janë përpjekur t’i përdorin për ta përshkruar atë," shpjegon Tifani Vat Smith, historian dhe autor i Schadenfreude. The Joy Of Another’s Misfortune“. Për francezët, fraza është "joie maligne" - "kënaqësi djallëzore" e shkaktuar nga vuajtjet e të tjerëve; Në Japoni, fraza përkthehet si "fatkeqësia e dikujt tjetër është aq e ëmbël sa mjalti". Si do të shprehet kjo te ne? Kënaqësi me fatkeqësinë e dikujt tjetër? 
Nuk ka rëndësi se si e quajmë, e sigurt është që një emocion i tillë ekziston dhe buron nga i njëjti vend - nevoja për të krahasuar veten me njëri-tjetrin. "Krahasimi është i rrënjosur në nënvetëdijen tonë", shpjegon Vat Smith. Njerëzit janë krahasuar që nga koha e shoqërisë fisnore kur ata garonin për ushqim dhe strehim. Epo, ata që ishin më të suksesshëm në këtë, ishin superiorë ndaj të tjerëve. Në vitin 2021 mund të mos jemi duke garuar për ushqim, por shumë më shumë po garojmë për një sërë të mirash materiale që e bëjnë krahasimin një proces që është vazhdimisht aktiv. Edhe pse është e parëndësishme që ndonjë të huaji, që e ndiqni në rrjetet sociale, i është djegur ushqimi, truri juaj e sheh atë si një shans për t’u ngritur dhe për të shënuar një pikë. 
 
TË GJITHË KEMI ZILI
Nëse kthehemi në epokën primitive, madje është mirë që njerëzit u krahasuan me njëri-tjetrin, sepse në atë mënyrë ata e mbajtën atë dëshirë të ngriheshin mbi të tjerët. Kjo është arsyeja pse njerëzimi ka arritur kaq larg, apo jo? Por kur sot nuk ka asnjë motiv për mbijetesë që do të justifikonte kënaqësinë nga dështimi i dikujt tjetër, bëhet paksa e çuditshme dhe e papranueshme nga ana shoqërore të pranojmë se kemi ndjenja të tilla. Studimet në të cilat u skanua truri pjesëmarrësve konfirmuan që kjo ndjenjë jo vetëm që ekzistonte, por njerëzit e ndjenin atë edhe kur ata pretenduan se nuk e ndjenin atë. Në një studim të vitit 2009, studiuesit në Japoni zgjuan zilinë e pjesëmarrësve duke u thënë atyre se fqinjët e tyre kishin blerë makinën e ëndrrave të tyre; ata më pas u përpoqën t'i inkurajonin kënaqësinë me dështimin e fqinjëve, duke u thënë se të njëjtët fqinjë kishin shkatërruar makinën në një aksident automobilistik. "Sa më shumë kënaqësi ndjeshin për diçka të keqe, aq më shumë aktivitet vumë re në pjesën e trurit përgjegjëse për shpërblim", shpjegon dr. Dean Mobs, bashkautor i studimit. Që do të thotë që kur një koleg i cili gjithmonë ju ndërpret ndërsa flisni në takime pushohet nga puna, aktivizohet e njëjta zonë e trurit si kur dikush ju blen një gjevrek për mëngjes. 
Studimi gjithashtu tregoi se sa më shumë zili kishin pjesëmarrësit për fqinjët e tyre që kishin blerë Ferrari, aq më e madhe ishte kënaqësia e tyre kur dëgjuan se kishte mbetur vetëm një kanoçe e shtypur nga Ferrari. Por kënaqësia në fatkeqësinë e dikujt tjetër nuk rritet vetëm nga ndjenja e zilisë. "Një person është më shumë  ziliqar nëse ka diçka që ai e sheh tek individi tjetër si një kërcënim", thotë dr. Mobs. "Këto kërcënime janë shumë komplekse dhe njerëzit shpesh nuk janë në dijeni për ato. "Në rastin e një fqinji që ka një makinë të re, kërcënimi është për statusin tuaj në rënie ose besimet tuaja dhe sistemin tuaj të vlerave."
 
 
HAKMARRJE E ËMBËL
"E meritonte atë!" - fraza më e zakonshme që ndjek ndjenjën e zilisë. Për shkak të saj, studimet thonë se ndjenja e zilisë është një mik i drejtësisë, një emocion i ëmbël që do të lërë një shije të hidhur në gojën tuaj. Por posa të kuptojnë se dikë e kanë zili, njerëzit menjëherë ndihen të turpëruar dhe çnjerëzor. 
"Përjetoni këtë emocion si një shenjë paralajmëruese", thotë psikologu klinik dr. Jesami Hiberd. "Në fakt është një alarm për pasiguritë tuaja. "Pranojeni vetveten për të kuptuar se çfarë ju mungon në jetën tuaj dhe merrni masa!"
Le të kthehemi në shembullin e mësipërm ... Huazimi i vëllait tuaj ju bën të lumtur sepse ju jep ngushëllim që nuk jeni vetëm, që nuk jeni vetëm me probleme financiare mes njerëzve që njihni. Por jini mjaft të mençur për të bërë diçka në lidhje me të, ndoshta kërkoni një punë të re ose merrni më shumë arsimim.  
"Kënaqësia me fatkeqësinë e dikujt tjetër është në thelb vetëm një mendim", shpjegon dr. Hiberd. "Njerëzit mendojnë për gjithçka gjatë ditës. Prandaj, është më e rëndësishme se çfarë bëni me mendimet që kalojnë nëpër kokën tuaj. "Cilat aktivitete ju inkurajojnë - kjo është ajo që ju përcakton juve si një individ." 
Bashkëshorte, grua, vajzë, shoqe - Bojana ka shumë role, por në të gjitha rolet ajo është vetvetja dhe e natyrshme, falë profesionit që ndërton vazhdimisht personalitetin e saj. 
 
Kjo zonjë arrin të shpërndajë retë e errëta të njerëzve me fjalë, me fjalë të vërteta. Personi që ka këshillat e duhur në një kohë kur një numër problemesh psikologjike vijnë dorë për dore me Kovid-19, bëhet kyç, i domosdoshëm dhe padyshim që meriton respekt. Por Bojana meriton mirënjohje plus, sepse është psikologia e parë në vendin tonë, e cila përdori rrjetet sociale për të sjellë psikologjinë më pranë njerëzve. Faqja e saj "Psikologu Im" bëri një revolucion të vërtetë në ndryshimin e zakoneve të njerëzve për të kërkuar ndihmë profesionale për dilemat psikologjike. 
 
 
Nëse kohë më parë pasja e një psikologu familjar ishte një skenar filmi, sot, falë mediave sociale dhe faqeve si e juaja, njerëzit janë të lirë të kërkojnë ndihmë përtej strategjisë: "Pini diazepam, do të të kalojë!" Por duket se koronavirusi ka theksuar më shumë rëndësinë e profesionit tuaj. A është rritur vëllimi i punës suaj gjatë kësaj periudhe? 
 
Kur bëhet fjalë për profesionin tim, miti se njerëzit në vendin tonë nuk vizitojnë një psikolog kur është e nevojshme është i pabazë. Strategjinë: "Pini diazepam dhe do të të kalojë" mund ta lëmë në të kaluarën sepse nuk solli strategji të shëndetshme për t'u marrë dhe ballafaquar me vështirësitë kur bëhet fjalë për shëndetin mendor. Brezat e rinj lexojnë, arsimohen, marrin pjesë në aktivitete, hulumtojnë dhe janë aktivë në sektorin joqeveritar, dhe prej aty demistifikojnë nga shumë aspekte edhe temën e  shëndetit mendor dhe personit profesionist që punon në këtë fushë. Me ardhjen e Kovid-19, kemi parë një rritje të klientëve që kërkojnë këshillim se si të merren me stresin, ankthin dhe sulmet e panikut. Sinqerisht, nuk më habit, e prisja këtë, sepse që nga fillimi i pandemisë thashë që në sfond kemi një pandemi të dytë që do të ndikojë në shëndetin mendor. Sidoqoftë, në vendin tonë shumë nga kolegët e mi u bënë aktivë me aktivitete të ndryshme, kështu që mbështetja dhe ndihma psikologjike ishte në dispozicion për të gjithë dhe ndoshta, ndryshe nga më parë, më e dukshme për shumë  individë.

Kurimi i shpirtit me psikologë bëhet përmes "fjalës" 

Dhe kur nuk keni të bëni me klientë, profesioni juaj do të thotë punë - duhet të lexoni vazhdimisht në mënyrë që të përmirësoni ekspertizën tuaj, veçanërisht në këtë kohë të shpejtë që sjell vazhdimisht disa ndryshime dhe tendenca të gabuara. Nga ana tjetër, sjellja juaj shërben si një shembull dhe duhet të mbjell besim te njerëzit. Ju jeni një aktor që jeni vazhdimisht në skenë, kështu që në ç'mënyrë pushoni nga gjithçka? A keni vend për të qenë plotësisht vetvetja dhe të thyeni ndonjë rregull? 
 
Profesioni im, si çdo profesion tjetër, kërkon lexim të vazhdueshëm dhe arsimim të mëtejshëm. Është shumë e thjeshtë, pasi zhvillohesh si profesionist, zhvillohesh edhe si person, sepse është një punë e vazhdueshme për veten tënde. Nga ana tjetër, në atë mënyrë ju mund t'u ofroni klientëve më shumë cilësi. Profesioni i psikologut mbart një përgjegjësi të madhe, sidomos kur punon me njerëz çdo ditë, por unë nuk e konsideroj veten aktor në skenë. Ajo që kam bërë ndryshe rreth 6 vjet më parë është vendimi për të vendosur një pjesë të punës sime në rrjetet sociale, dmth t'i përdor ato si një kanal për komunikim me njerëzit. Në atë kohë nuk kishte asnjë faqe në rrjetet sociale që merrej me tema të shëndetit mendor, ndryshe nga tani, kur mund të rendis të paktën njëzet faqe që e bëjnë këtë në mënyrë aktive. Në profilet e Psikologu Im në rrjetat sociale unë postoj përmbajtje nga perspektiva e një psikologu, por jo edhe për jetën time private. Sigurisht, jashtë rolit profesional jam gruaja, vajza, motra, shoqja, fqinji i dikujt ... Në të gjitha rolet ndihem plotësisht vetvetja pa ndjerë nevojën për të thyer rregulla, dhe paqja ime është në ekuilibër.
 
 
Ju jeni një shembull që teknologjitë mund të funksionojnë për mirë, si ju lindi ideja për të filluar faqen "Psikologu Im" në mediat sociale? A u përgjigjeni mesazheve të të gjithë njerëzve dhe nëse dikush ka nevojë, a realizoni takime drejtpërsëdrejti/online tani?
 
Idenë e kam marrë në kohën studentore, kur kam lexuar informacione të ndryshme nga faqe dhe portale të ndryshme, por kur kam kërkuar në maqedonisht, nuk kam gjetur asnjë. Unë ndava të gjitha mendimet e mia në profilin tim personal, kështu që miqtë e mi më inkurajuan që mbase ishte koha të bëja një blog ose faqe ku do t'i bëja të gjitha të disponueshme për njerëzit e tjerë që do të interesoheshin të lexonin. Shumë pyetje mbërrijnë çdo ditë dhe përgjigja e tyre është shumë e diskutueshme dhe e ndjeshme. Kur një person konsultohet përmes një mesazhi, ata shpesh kanë mungesë të shumë informacionit në lidhje me problemin, dhe ajo formë e komunikimit është përtej parimit dhe etikës së profesionit tim, kështu që kur pyetja është specifike unë me siguri përgjigjem, por kur mendoj se do të dhunoheshin parimet themelore të profesionit tim rekomandoj që konsultimi të jetë personal dhe i drejtpërdrejtë me mua ose me një psikolog / terapist tjetër të zgjedhur. Faqet e Psikologu Im janë vetëm një cep ku vendos disa nga punimet e mia. Unë punoj çdo ditë në qendrën time të këshillimit Psikologu Im, unë jam pjesë e disa projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare dhe punoj si këshilltar organizativ për shëndetin mendor. Para virusit korona, pjesë e punës sime dhe jetës së përditshme ishin trajnimet dhe punëtoritë në Shkup dhe përreth vendit. Aktualisht është në listën e pritjes për një kohë më të mirë dhe më të sigurt, ku do të jemi në gjendje të mbledhim përsëri 170 persona dhe të flasim për shëndetin mendor.
 
A është e mundur të bëhet një lloj përmbledhje e problemeve që i mundojnë njerëzit në vendin tonë? Nga çfarë vuajmë më shumë? 
 
Çdo problem është i vështirë për bartësin e problemit, dhe pesha është subjektive. Kjo është arsyeja pse është mosmirënjohëse të thuash se një problem është më serioz se një tjetër. Mund të them vetëm se gjatë kësaj periudhe gjendjet e ankthit janë në rritje.
 
Si e mbron veten një psikolog nga gjithçka me të cilën përballet gjatë ditës? Edhe tu je njeri dhe si grua je më e ndjeshme, pra si arrini të mos bini nën ndikimin e historive të ndryshme stresuese me të cilat përballeni?
 
Me punë të vazhdueshme me veten, monitorimin e proceseve personale, edukim dhe mbikëqyrje të vazhdueshme të mëtejshme. Sigurisht, përvoja bën të vetën. Në fund të ditës, edhe ne jemi njerëz, jo super njerëz me fuqi të veçanta. 
 

Shumë njerëz ende nuk bëjnë dallimin midis një psikologu dhe një psikiatri dhe kur duhet të shkojnë te njëri ose tjetri - ju lutemi shpjegojuni lexuesve tanë. 
 

Mendova se nuk do ta dëgjoja kaq shpesh këtë pyetje gjatë viteve, por gabova. Duket se ekrani përmes të cilit fshiheshin këto dy profesione të lidhura por të ndryshme ishte i njëjtë, prandaj edhe nevoja për të bërë vazhdimisht dallimin midis termit psikolog dhe psikiatër. Psikologu dhe psikiatri studiojnë shëndetin mendor të një personi nga dy këndvështrime të ndryshme. Psikologu është një person i cili ka mbaruar departamentin e Psikologjisë në Fakultetin Filozofik (ose institucione të tjera të arsimit të lartë), dhe Psikiatëri është një person që ka përfunduar Mjekësinë e Përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë dhe më pas specializohet në Psikiatri (dhe ndryshe nga psikologët mund të Përshkruajnë farmakoterapi). Psikologët më tej vendosin se në cilin drejtim do të arsimohen dhe drejtohen më tej - psikoterapi, këshillim, burime njerëzore, psikologji klinike, etj. Trajtimi i shpirtit me psikologë bëhet përmes "fjalës".
 
 
Ku e gjen frymëzimin, sepse puna juaj është krijuese në shumë mënyra, por ne jemi më të interesuar për atë moment të luftës së pafund - ne ende kemi një problem me injorancë të madhe, me njerëz që nuk mund të pranojnë dhe nuk dinë si të sillen, për shembull, me fëmijë autikë dhe një mori shembujsh të tillë. Ndryshimet që dëshironi t'i bëni janë shumë të ngadalta, kështu që si e gjeni energjinë dhe motivimin për të ardhmen, veçanërisht kur jeni të zhgënjyer me situata që ju tregojnë se ne nuk kemi lëvizur nga pika e vdekur? 
 
Unë gjithmonë kam frymëzim dhe motivim dhe e gjej në ngjarjet e përditshme. Sigurisht, ka situata që dekurajojnë, por ka edhe situata që inkurajojnë dhe tregojnë se ne nuk ngecim në vend dhe ecim përpara në shumë fusha. Negativiteti, injoranca dhe vetëdija e ulët në nivel kolektiv nuk mund të çrrënjosen brenda ditës.


Çdo problem është i vështirë për bartësin e problemit, dhe pesha është subjektive.
 
 
Si ju pëlqen ta kaloni kohën tuaj të lirë? Ndoshta keni një hobi që e mbani për vete? 
 
Më pëlqen ta kaloj kohën time të lirë me një proces krijues, kështu që zakonisht shkruaj ose pikturoj. Lexoj gjithçka që nuk mund të lexoj kur kam një orar të ngjeshur, por gjithçka varet nga motivimi dhe periudha. Tani përdor çdo moment të lirë për të qenë në natyrë dhe për të kaluar kohën me partnerin, familjen, miqtë. Onlajn ose oflajn (Online ose Offline). 
 
Sa jeni të përkushtuar për një jetë të shëndetshme - a stërviteni dhe si ushqeheni? A gatuani? A keni ndonjë regjim të veçantë të ushqimit?
 
Siç thashë në një përgjigje pak më herët - çelësi është në ekuilibër. Pasi e përvetësova atë filozofi, mirëqenia ime fizike dhe shpirtërore disi shkoi dorë për dore. Kur kam kohë merrem me sport, por aktualisht për shkak të shtatzënisë sigurohem që të jem aktive me ushtrime dhe ecje më të lehtë. Nuk kam dietë dhe nuk ndjek dieta, por i kushtoj vëmendje asaj që ha dhe sa ha. Për shembull, unë nuk e ndaloj ngrënien e një pice të mirë, por sigurohem që pica të mos jetë shumë shpesh në menu, por të paktën një herë në muaj. Më pëlqen të gatuaj, mund të them se jam një profesionist për pjatat tradicionale, por një amator total për gjithçka tjetër. Njeriu mëson sa është gjallë, prandaj nuk i bëj presion vetes në këtë drejtim. 
 
Gjatë kësaj periudhe të gjithë ne disi u lidhëm me natyrën, kështu që sa është e pranishme në jetën tuaj - a shkoni shpesh në natyrë, a konsumoni shtesa natyrore apo ndoshta përdorni produkte natyrore për kujdes? 
 
Unë dua të jem në natyrë dhe dua të kaloj çdo moment të lirë, nëse nuk mundem më shumë, të paktën në parkun më të afërt. Mundohem të marr gjithçka që trupi im ka nevojë përmes dietës sime. Kohët e fundit më dhanë një këshillë shumë të bukur - shkoni në treg dhe blini gjithçka që është sezonale dhe konsumojeni atë gjatë javës. Në dietën e rregullt, mjalti është gjithmonë i pranishëm si një ëmbëlsues natyral kur është e nevojshme, dhe sa i përket kujdesit të jashtëm të trupit, kam vërejtur se gjatë kësaj periudhe kam rrëdhqitur ka përdorimin e kozmetikës organike dhe natyrore.
 

"Në të gjitha rolet ndjehem plotësisht i pavarur pa ndjerë nevojën për të thyer rregulla, dhe paqja ime është në ekuilibër".

Hene, 28 Dhjetor 2020 00:00

Vendimet e mira merren pa telefon

Pushimet e shkurtra nga teknologjia nënkuptojnë një rritje të energjisë për trurin, duke i shfrytëzuar më shumë orët e ditës dhe duke i bërë më të lehta vendimet e shëndosha.
 
 
Kush do ta kishte menduar që teknologjitë do të inkurajonin varësi në të gjithë botën?! Deri para ca kohësh, varësitë i lidhnim me një grup të vogël të njerëzve, por telefonat e mençur ua llokoçitën mendjen të gjithë gjeneratave. 
Mesatarisht, njeriu kalon 11 orë të plota i betonuar para ekranit të hirtë. Që nënkupton, në emër të aplikacioneve mund të punojmë edhe përtej orarit të punës, pavarësisht që na djegin sytë, kurse qafa na është shtangur. 
Por ajo që duhet të konsiderojmë seriozisht janë pasojat psikologjike që ndodhin me përdorimin e tepruar të mediave sociale. Kontradiktore, por ato kryesisht inkurajojnë vetminë. Duke prekur jetën e të tjerëve, shpesh harrojmë se kemi tonat, se ka njerëz të vërtetë përreth nesh që mezi presin të dëgjohen. 
Dhe po, e pranojmë, kemi biseduar për këtë temë shumë herë, por le ta fillojmë këtë vit me ndryshime reale. Ata do të na sjellin një jetë më të mirë bazuar në vendime të shëndosha. Pse e themi këtë? 
Kërkimet e fundit kanë treguar se pa marrë parasysh se sa njerëz janë të vetëdijshëm që ato që po u shërbehen në mediat sociale janë plotësisht të filtruara dhe joreale, kjo nuk e ndryshon faktin se një përmbajtje e tillë e ekzagjeruar na inkurajon të gabojmë. 
Për shembull, edhe pse nuk mund të përballoni një hua tjetër bankare, ju prapëseprapë e bëni këtë deri në fund për të shkuar (dhe shkrepni fotografi) atje ku të gjithë ishin tashmë (dhe shkrepën fotografi). Këtu është një shembull tjetër: mjekët këshillojnë nënat, ato me operacion cezarian, të mos praktikojnë aktivitet fizik për të paktën 6 muaj. Por shumë prej tyre e injorojnë këtë fakt dhe rrezikojnë, sepse nënat në Instagram janë në gjendje shumë të mirë fizike (fit) pas 5 ditësh nga dalja nga spitali. 

PËRFUNDIMI Veglat inteligjente krijojnë mendje të cekëta, por vetëm nëse i lejoni. 
 

PUSHONI VEGLAT E MENÇURA EDHE NË PUNË
Pa posta elektronike (e-mail) dhe një kompjuter është e pamundur të funksionosh në punë. Por nëse mbështeteni tek ata pandërprerë, ka më shumë të ngjarë të bëheni joproduktiv dhe të shpërqendruar. Plus, mos prisni ndonjë thellim të marrëdhënieve me kolegët, edhe pse ky është çelësi për ngritje në detyrë në kompani. 
Kur analizoni atë që është bërë, ose shkëmbeni ide me kolegë, ose kërkoni një zgjidhje për një problem, bëjeni zakon ta bëni atë ballë për ballë. Mund t'ju duhet kohë për të bindur kolegët që të ngrihen nga karriget e tyre të rehatshme, por provoni, nuk humbni asgjë. Përkundrazi, një shëtitje e shkurtër deri te byroja tjetër do të rifillojë trurin. Kjo është kur zgjidhja do të vijë tek ju ose do të dilni me një ide të re, thotë Xhejmi Krejn ( Jamie Crane), një profesor i psikologjisë dhe arsimit në Kolegjin e Mësuesve të Universitetit "Columbia".
Nëse, përkundër të gjitha përpjekjeve, nuk arrini të mblidhni kolegët tuaj në një grumbull, merrni telefonin dhe telefononi atyre. Të jesh në gjendje të dëgjosh zërat është e mjaftueshme për të krijuar një lidhje emocionale dhe përgjithësisht të forcosh marrëdhënien.
Nga ana tjetër, njoftimet (njoftimi se ju ka mbërritur  email, pastaj ato në telefon) padyshim që ju shpërqendrojnë nga detyrat e punës dhe ky lloj mashtrimi ndikon në produktivitet, pohon Nanci Kollier (Nancy Collier), autore e "The Power of Off" (Fuqia e Shkyçjes ). Kur duhet të përqendroheni në diçka të madhe, përdorni opsionin "silent" ose "log out". 
 
PUSHONI VEGLAT E MENÇURA EDHE NË JETËN PRIVATE
Fotografimi dhe postimi i secilës përvojë do t'ju ndalojë të shijoni atë vërtet, me të gjitha shqisat tuaja. Nga ana tjetër, monitorimi i vazhdueshëm i numrit të pulqerëve (pëlqimet ose "laijket") do t'ua shterojnë energjinë tuaj për ndërveprime të drejtpërdrejta. 
Dhe shkencëtarët kanë konfirmuar se njerëzit që dokumentojnë dhe ndajnë përvojat e tyre në mediat sociale krijojnë kujtime të paqarta - sikur gjithçka të ishte një ëndërr. Është në rregull të çimentoni momentet me ndihmën e kamerës, por menjëherë pas kësaj vendoseni përsëri telefonin në xhep. Pastaj zhytuni në aromat, tingujt, ngjyrat, ndjesitë e momentit, sepse ato detaje ndihmojnë trurin të ruajë kujtesën e pashkatërrueshme. Mos u mashtroni se e kundërta është e vërtetë, fotografia nuk do të jetë kurrë më e fuqishme se truri juaj. 
"Ne jemi bërë një komb që nuk e dëgjon bashkëbiseduesin, sepse jemi vazhdimisht të zënë me argëtimin e ofruar nga telefoni ose jemi vazhdimisht të shpërqendruar prej tij", thotë Kolier. Duket se dëgjojmë, por truri ynë nuk është i pranishëm - një terren ideal për të marrë vendime të gabuara dhe për të dhënë këshilla të gabuara. Herën tjetër kur të bëni një pyetje, përpiquni të dëgjoni përgjigjen DERI NË FUND. Dëgjimi i thellon marrëdhëniet, çon në një dialog kuptimplotë që do të rezultojë në këshilla të shëndosha dhe një vendim të justifikuar.
Ne jemi të kushtëzuar që të kërkojmë gjithnjë e më shumë - "pëlqime", njoftime, argëtime - saqë fillojmë të bindim veten se këto gjëra janë të nevojshme që ne të jemi të lumtur, pohon Kolier. Po në 
lidhje me marrëdhënien me veten, kur ka qenë hera e fundit që keni dalë për t’u shoqëruar me veten? Merrni pak kafe me vete dhe dilni për një shëtitje, VETËM. Padyshim që do të ndiheni më të përmbushur (do të ndaloje nevojën e pafund për më shumë) dhe do të keni hapësirë të shikoni brenda vetes, të mendoni, të analizoni gjërat që ju shqetësojnë dhe të bëni një plan për veprimin e ardhshëm në paqe. E gjithë bota nuk duhet të dijë se çfarë po kalon, qoftë lumturi apo trishtim, shumica i rrokullisin sytë nga njoftime të tilla. Prandaj, flisni me veten tuaj, gjykimi personal është më mizori, por realist dhe produktiv. 
 
IT-detoksifikimi 
Smartfonët nuk janë të mençur në vetvete, prandaj përdorni në dobinë tuaj. Këto tre aplikacione falas do t'ju ndihmojnë të kontrolloni përdorimin e tyre.
 
"Moment"
Vendosni një kufi - sa telefonatave do t'u përgjigjeni në ditë. Ju do të merrni një paralajmërim kur të kaloni ose para se të kaloni kufirin.
„Space“
Gjeni se çfarë lloj personi jeni, për shembull, "Boredom Battler" (ju përdorni telefonin për të plotësuar kohën kur jeni të mërzitur) për të marrë një plan të saktë që do të shkurtojë kohën para ekranit.
„FlipD“ 

 
Aplikacioni ofron mundësinë për të shkyçur telefonin, por nga vetvetja juaj. Plus, vendos një qëllim për t’u shkëputur nga të gjitha pajisjet në një kohë që ju përshtatet.
Faqja 3 di 53

rreth nesh

Shëndeti nuk është vetëm mungesë e sëmundjes, shëndeti është mirëqenie e plotë psiqike, fizike dhe emcionale. Misioni ynë do të jet i tillë. Me anë të këshillave të thjeshta dhe të shkurta dhe me përmbatje të cilat me shumë kujdes janë zgjedhur, ne ju ofrojmë të dhëna praktike të zbatueshme për përmirësimin e cilësisë së jetës në përgjithësi.

Ndiqni ne në Facebook

Newsletter

Shkruani e-mailin