Сподели со пријателите

Ushqyerja me gji 11 përfitime për fëmijën dhe nënën

Ushqyerja me gji është metoda më e dobishme për rritjen dhe zhvillimin normal të fëmijës. Por pothuajse 2 nga 3 fëmijë nuk gëzojnë ushqyerjen ekskluzive me gji gjatë 6 muajve të rekomanduar- ky rangim nuk është përmirësuar për dy dekada, sipas OBSH-së. Vendimi nëse foshnja do të ushqehet me gji ose do të fillojë jetën me qumësht të adaptuar është zgjedhje personale e nënës - diçka që nuk duhet të komentohet, por pranohet dhe respektohet në mënyrë paqësore dhe kulturore. Por me rritjen e numrit të grave që refuzojnë të ushqejnë me gji, ne vendosëm t'ia kushtojmë këtë artikull dobive të provuara shkencërisht të ushqyerjes me gji dhe të demistifikojmë ato besime modern se ushqyerja me gji është e vështirë, e komplikuar dhe e zgjedhin gratë më pakt të arsimuar. 
 

Vetëm 41% e foshnjave nën 6 muaj janë me ushqyerje ekskluzive me gji.
 

DOBITË NGA USHQYERJA ME GJI PËR FOSHNJËN
 
1.    Qumështi i gjirit siguron pjesën ideale të lëndëve ushqyese
Qumështi i gjirit përmban gjithçka që fëmija ka nevojë në 6 muajt e parë në sasi të përshtatshme. Përbërja e tij ndryshon në përputhje me nevojat e foshnjës, veçanërisht në muajin e parë.
Në ditët e para pas lindjes, gjinjtë prodhojnë një lëng të trashë, të verdhë, të quajtur kolostrum. Kolostrumi është i pasur me proteina dhe një sërë lëndësh ushqyese - një ushqim çudibërës që nuk mund të zëvendësohet me asnjë formulë.
Kolostrum është një qumësht ideal fillestar për fëmijën, pasi ndihmon në zhvillimin e sistemit të papjekur të tretjes të të porsalindurit. Pas disa ditësh, gjinjtë fillojnë të prodhojnë sasi më të mëdha qumështi - pas rritjes së barkut të foshnjës.
E vetmja gjë që mungon në këtë pije çidubërëse është vitamina D dhe prandaj rekomandohet një shtesë në formën e pikave.

2. Qumështi i gjirit përmban antitrupa të rëndësishëm
Qumështi i gjirit është i pasur me antitrupa që ndihmojnë foshnjën të luftojë viruset dhe bakteret - thelbësore në muajt e hershëm dhe të brishtë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për kolostrumin, i cili përmban doza të larta të imunoglobulinës A dhe një sërë antitrupash të tjerë. 
Sapo nëna bie në kontakt me një virus ose bakter, trupi i saj krijon antitrupa që hyjnë në qumësht dhe arrijnë tek fëmija përmes qumështit. Ky është parimi me të cilin krijohet imuniteti fillestar i të vogëlit. 
Imunoglobulina A mbron foshnjën nga sëmundja duke krijuar një shtresë mbrojtëse në hundën, fytin dhe sistemin e tretjes.

3. Ushqyerja me gji zvogëlon rrezikun nga sëmundjet
Bëhet fjalë për një listë të plotë të sëmundjeve të tilla si:
·       Infeksionet e veshit të mesëm, sinuseve dhe fytit edhe pasi fëmija të rritet. 
·       Infeksionet e traktit respirator dhe sëmundjet akute gastrointestinale.
·       Ftohjet, sidomos gjatë ushqyerjes ekskluzive me gji për 6 muaj.
·       Sindroma e vdekjes së papritur e foshnjave.
·       Sëmundjet alergjike si astma, dermatiti atopik dhe ekzema.
·       Sëmundjet e zorrëve të tilla si sëmundja e Kronit dhe koliti ulceroz. 
·       Diabeti 1 dhe 2.
·       Leukemia pediatrike.

4. Qumështi i gjirit siguron një peshë të shëndetshme trupore
Ushqyerja me gji ul rrezikun e mbipeshës në fëmijeri. Një studim zbuloi se ushqyerja me gji për jo më shumë se 4 muaj ul mundësitë që një fëmijë të fitojë shumë peshë. Studiuesit sugjerojnë që kjo është për shkak të baktereve të ndryshme në zorrë - foshnjat që ushqehen me gji kanë baktere më të dobishme. Ata gjithashtu kanë më shumë leptinë, ndryshe nga foshnjat që ushqehen me formulë. Leptina është një hormon kryesor për rregullimin e urisë dhe rezervave të yndyrës.
Foshnjat me gji vetë e kontrollojnë sa hanë - thithin derisa të plotësojnë urinë. Në këtë mënyrë, ata krijojnë zakone të shëndetshme që në moshë të vogël.

5. Ushqyerja me gji i bën fëmijët më të zgjuar
Disa studime sugjerojnë se ekziston një ndryshim në zhvillimin e trurit midis foshnjave që ushqehen me gji dhe atyre që ushqehen me qumësht të adaptuar. Dallimi është ndoshta për shkak të kontaktit fizik, kontaktit me sy, vetë intimitetit të aktit të ushqyerjes me gji dhe, natyrisht, materieve ushqyese. 
Studimet tregojnë se foshnjat që ushqehen me gji janë më inteligjente dhe kanë më pak të ngjarë të kenë probleme të sjelljes ose vështirësi në të mësuar kur të rriten. Sidoqoftë, efektet më të dukshme vërehen tek foshnjat e parakohshme, të cilat kanë një rrezik më të lartë të problemeve të zhvillimit. 
Studimet tregojnë qartë se ushqyerja me gji ka efekte të konsiderueshme dhe afatgjata në zhvillimin e trurit të foshnjave. 

Mbi 820,000 fëmijë mund të shpëtojnë çdo vit nëse të gjithë fëmijët e moshës 0-23 muajsh ushqehen me gji në mënyrë optimale.



Globalisht, 3 në 5 foshnje nuk ushqehen me gji në orët e para të jetës. 
 

DOBITË E TË USHQYERIT ME GJI PËR NËNËN 
 

6. Ushqyerja me gji përshpejton humbjen e peshës
Ndërsa disa gra shtojnë peshë kur ushqejnë me gji, ka nga ato që humbin peshë pa ndonjë përpjekje. Ushqyerja me gji, natyrisht, djeg kalori dhe pas 3 muajsh laktacioni do të vëreni djegie të shtuar të dhjamit në krahasim me nënat që nuk ushqejnë me gji. Por për të qenë realist, ndryshimi nuk është shumë i madh.

7. Ushqyerja me gji stimulon kontraktimet e mitrës
Gjatë shtatzënisë, mitra rritet - prej madhësisë së një dardhe arrin madhësinë e një shalqiri - duke mbushur pothuajse të gjithë hapësirën e barkut. 
Pas lindjes, mitra kalon nëpër një proces të quajtur involucion ose kthehet në madhësinë e saj origjinale. Oksitocina, hormoni që rritet gjatë shtatzënisë, udhëheq të gjithë këtë proces. Trupi sekreton doza të mëdha të oksitocinës gjatë lindjes në mënyrë që të lehtësojë vetë aktin, por në të njëjtën kohë për të zvogëluar gjakderdhjen. Gjithashtu ju ndihmon të lidheni me të voglin tuaj. 
Oksitocina rritet gjithashtu gjatë ushqyerjes me gji, këto doza të rritura janë gjithashtu në shërbim të mitrës, nën veprimin e tyre ajo tkurret, duke rifituar gradualisht madhësinë e saj. Studimet tregojnë se nënat që ushqejnë me gji në përgjithësi kanë më pak  gjakderdhje pas lindjes dhe përshpejtojnë involucionin e mitrës.

8. Nënat që ushqejnë me gji kanë një rrezik më të ulët nga depresioni
Depresioni pas lindjes është një lloj depresioni që zhvillohet menjëherë pas lindjes. Gratë që ushqejnë me gji kanë më pak të ngjarë të zhvillojnë depresion pas lindjes sesa nënat që nuk ushqejnë me gji, sipas një studimi të vitit 2012. 
Nga ana tjetër, ata që vuajnë nga depresioni, menjëherë pas lindjes, kanë vështirësi në gjidhënie ose ushqejnë me gji për një periudhë të shkurtër. Prandaj, nëse vëreni ndonjë simptomë, vizitoni mjekun sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të mos ju mbeteni pa qumësht ndërkohë.

9. Ushqyerja me gji zvogëlon rrezikun nga sëmundjet
Ushqyerja me gji duket se ofron mbrojtje afatgjatë kundër kancerit dhe një mori sëmundjesh të tjera. Koha e përgjithshme e dhënies së gjirit shoqërohet me një rrezik të zvogëluar të kancerit të gjirit dhe vezoreve. Gratë që ushqejnë me gji kanë një rrezik të zvogëluar të zhvillimit të:
·       Presionit të lartë të gjakut.
·       Artritit. 
·       Rritjes së yndyrave në gjak.
·       Sëmundjes së zemrës.
·       Diabetit të tipit 2.
 
10. Ushqyerja me gji vonon ciklin menstrual
Ushqyerja me gji ndalon ovulimin dhe menstruacionet. Është një mënyrë që natyra kujdeset për trupin e femrës, duke i lënë hapësirë që të rikuperohet, plus që të sigurojë një pushim midis dy shtatzanive. Ky ndryshim është vërtet i mirëpritur për nënat e reja që papritmas kanë shumë përgjegjësi dhe shqetësime. Por mbani në mend - ushqyerja me gji nuk ju mbron nga shtatzënia!

11. Ushqyerja me gji do t’ju kursejë kohë dhe para
Ushqyerja me gji nuk do t'ju kushtojë asnjë qindarkë, përveç se do t'ju duhet të merrni një pompë qumështi dhe të ushqeheni shëndetshëm. Nëse vendosni të ushqeni me gji, nuk do të keni nevojë:
·       të blini formulë.
·       të vëzhgoni sa qumësht i jepni fëmijës tuaj.
·       të lani dhe sterilizoni shishet.
·       të përgatitni qumësht në mes të natës.
·       të mendoni për strategji për të ngrohur qumështin tuaj kur jeni jashtë.
Qumështi i prodhuar nga gjiri është gati për t’u konsumuar në çdo kohë dhe kudo!

rreth nesh

Shëndeti nuk është vetëm mungesë e sëmundjes, shëndeti është mirëqenie e plotë psiqike, fizike dhe emcionale. Misioni ynë do të jet i tillë. Me anë të këshillave të thjeshta dhe të shkurta dhe me përmbatje të cilat me shumë kujdes janë zgjedhur, ne ju ofrojmë të dhëna praktike të zbatueshme për përmirësimin e cilësisë së jetës në përgjithësi.

Ndiqni ne në Facebook

Newsletter

Shkruani e-mailin